Sipas tyre, ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët janë vetëorganizuar për të siguruar bileta në sektorin tradicional të grupit, këtë herë nuk kanë marrë pjesë në atë që e cilësojnë si një “farsë” të organizuar nën petkun e një shorti të rremë. Ata pretendojnë se sistemi i ndarjes së biletave favorizon agjencitë turistike dhe individë të lidhur me pazare klienteliste.
“Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm,” vijon deklarata.
TKZ kritikon ashpër edhe çmimet e biletave, duke theksuar se ato e përjashtojnë tifozin e zakonshëm shqiptar nga mundësia për të ndjekur Kombëtaren. Sipas tyre, një familje e zakonshme shqiptare duhet të paguajë rreth 600 euro për katër bileta, një kosto që e tejkalon buxhetin e pushimeve verore.
“Futbolli është kthyer nga një aktivitet popullor në një event ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro,” thekson grupi.
Në përfundim, TKZ akuzon FSHF-në për hipokrizi dhe përjashtim të qëllimshëm të tifozëve besnikë: “Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm besnikët e përjetshëm JO. Diçka e tillë nuk është parë kurrë. Le të fitojë njëherë Kombëtarja.”
Be First to Comment